Zhvillojmë kapacitetet e Kompanive te Nxënësve

117 drejtues të 70 Kompanive të Nxënësve të ngritura si pjesë e programit të JAA përmes trajnimeve të realizuara në periudhën Shkurt-Mars 2023 zhvilluan më tej njohuritë dhe aftësitë e tyre mbi dy komponentë të rëndësishëm të këtij programi: Raporti i Kompanisë dhe Prezantimi e Komunikimi në Publik.

Seancat e trajnimeve ishin interaktive dhe praktike dhe u dhanë mundësi drejtuesve të Kompanive të merrnin njohuri të reja, të zhvillonin e praktikonin aftësitë e tyre përmes një sërë aktivitetesh dhe ushtrimesh, të shkëmbenin me Kompanitë e tjera eksperiencat dhe sfidat me aplikimin e këtij Programi.

Suksesi i trajnimeve u dëshmua nga reagimet pozitive të pjesëmarrësve. Shumë prej tyre raportuan se ndiheshin më të sigurt në aftësinë e tyre për të komunikuar dhe prezantuar idetë e tyre në mënyrë efektive, si dhe do të reflektojnë njohuritë e aftësitë e zhvilluara në avancimin e tyre në fazat pasuese të Programit të “Kompanisë së Nxënësve”.

Trajnimi i tretë për klubet e debatit në universitete

140 studentë  nga klubet e debatit të 8 Fakulteteve dhe Universiteteve në të gjithë Shqipërinë morën pjesë në sesionin e tretë të trajnimit të fokusuar në "Të folurit në publik dhe aftësitë e komunikimit" si pjesë e programit "Debating Economics" nga Junior Achievement of Albania.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit mësuan për teknikat efektive të komunikimit në debat, duke përfshirë mënyrën se si të strukturojnë një argument bindës, të flasin në mënyrë të sigurt dhe të qartë dhe të angazhohen me audiencën e tyre.

Pas përfundimit të sesionit të tretë të trajnimit, studentët do të hyjnë në një fazë përgatitore në të cilën do të pajisen plotësisht për të marrë pjesë në konkursin kombëtar të debatit mes universiteteve.