Junior Achievement of Albania

View Original

REFLEKTOJMË PËR VITIN 2023: NJË VIT ARRITJESH DHE IMPAKTI PËR JAA

Ndërsa ditët e fundit të 2023 po afrohen, ne në Junior Achievement of Albania (JAA) ndalemi për të reflektuar mbi një vit që ka qenë i jashtëzakonshëm. Ishte një vit ku angazhimi ynë për fuqizimin e rinisë shqiptare u prit me një entuziazëm dhe pjesëmarrje të lartë në cdo aktivitet e event të organizuar. Më e rëndësishmja, ishte një vit ku përpjekjet tona u njohën në një shkallë më të madhe pasi u nderuam si Organizatë Model JA nga JA Europe. Kjo njohje është një dëshmi e punës së palodhur, përkushtimit dhe shpirtit inovativ që përcaktojnë ekipin tonë, nxënësit, studentët dhe partnerët tanë.

Masa e vërtetë e suksesit tonë qëndron në numrat që përfaqësojnë jetët që kemi impaktuar dhe mendjet që kemi frymëzuar.

Ja një vështrim i ndikimit që kemi bërë në 2023:

  • 450 nxënës të klasave të teta u përfshinë në Kampet e Financës duke zhvilluar ide sipërmarrëse dhe praktikun njohuritë mbi buxhetin dhe financat;

  • 248 nxënës të klasave të nënta u bënë pjesë e “Dita e karrierës në Shkollë” dhe thelluan njohuritë mbi zhvillimin e karrierës;

  • 3,000 nxënës të shkollave të mesme morrën njohuri mbi sipërmarrjen përmes lëndës “Kompania e Nxënësve”;

  • 336 nxënës që zbatojnë në shkollë lëndën e JA “Kompania e Nxënësve” zhvilluan aftësi të reja mbi biznesin dhe komunikimin përmes trajnimeve të JAA;

  • 331 nxënës të “Kompanive të Nxënësve” u përfshinë në Festivalet Rajonale të Sipërmarrjes duke zbatuar njohuritë dhe aftësi të marra nga programet e JAA;

  • 170 drejtues të “Kompanive të Nxënsve” u përfshinë në Festivalin Kombëtar të Sipërmarrjes;

  • 560 nxënës të shkollave të mesme të përfshirë në Kampe Inovacioni zhvilluan ide dhe aftësi mbi sipërmarrjen;

  • 405 nxënës pjesë e Klubeve të Debatit të Shkollave të mesme të trajnuar mbi formatin dhe rregullat e Debatit;

  • 270 nxënës të shkollave të mesme u përfshinë në Kampionatin Kombëtar të Klubeve të Debatit të Shkollave të Mesme;

  • 2,000 nxënës të shkollave të mesme morrën njohuri mbi zhvillimin e karrierës përmes lëndës “Drejtues për një Ditë”;

  • 251 studentë pjesë e Klubeve të Debatit JAA në Universitete zhvilluan njohuri e aftësi mbi debatin përmes trajnimeve të JAA;

  • 300 të rinj përjetuan eksperienca zhvilluese nga përfshirja në evente në nivel europian të mundësuara nga JAA;

Çdo numër përfaqëson jo vetëm një pjesëmarrës, por një histori të potencialit, rritjes dhe suksesit që do të vijë.

Ndërsa festojmë arritjet e vitit të kaluar, sytë tanë janë drejtuar në horizontin e vitit 2024. Me vitin e ri vijnë sfida të reja, mundësi të reja dhe mënyra të reja për të frymëzuar dhe fuqizuar të rinjtë dhe komunitetin me të cilin punojmë. Ne jemi entuziastë për të vazhduar udhëtimin tonë, duke ndërtuar mbi themelet e forta që kemi krijuar dhe duke prezantuar programe novatore që do të çojnë më tej misionin tonë.

Jemi jashtëzakonisht mirënjohës për mësuesit që sjellin në jetë programet tona, partnerët që besojnë në vizionin tonë dhe më e rëndësishmja, nxënësit e studentët, ëndrrat dhe aspiratat e të cilëve i bëjnë të gjitha përpjekjet tona të vlefshme. Pasioni dhe përkushtimi juaj janë forcat shtytëse pas çdo suksesi që ne festojmë.

Teksa i japim lamtumirën 2023-ës, e bëjmë këtë me zemra plot mirënjohje dhe mendje të mbushura me ide për të ardhmen. Ju ftojmë të vazhdoni me ne këtë rrugëtim në vitin 2024, një vit që besojmë se do të jetë i mbushur me akoma më shumë mësim, rritje dhe sukses.

GËZUAR VITIN E RI NGA TË GJITHË NE NË JAA! 🎉🌟